Sfidat në harmonizimin e vlerësimit të impaktit mjedisor (VIM) nga platformat për nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror në rajonin Adriatiko-Jonian.

1644329075_man.png
Superadmin
14 February 2022

Të tilla aktivitete mund të shërbejnë si një reklamë e keqe lidhur me arritjet dhe mbajtjen e Statusit të Mirë Mjedisor (SMM), të përcaktuar në Direktivën e Strategjisë mbi Detin (MSFD), ku ky status konsiderohet një objektiv esencial për qëndrueshmërinë mjedisore të aktiviteteve socio-ekonomike detare dhe mbrojtjen e shëndetit njerëzor.

Rreth 0.4% të rezervave botërore të hidrokarbureve dhe gazit natyror ndodhen në Mesdhe dhe për pasojë vetë baseni i Mesdheut do të përfaqësojë një prej zonave të globit ku aktivitetet offshore (instalime në zonat detare, si p.sh. platformat fikse) do të rriten fuqimisht në numër në vitet pasues.

Për më tepër rajoni Adriatiko-Jonian (rajoni ADRION) karakterizohet përtej faktit të mundësive të prodhimit të hidrokarbureve offshore nga një zhvillim i fuqishëm në termat e ekspansionit urban në zonat bregdetare dhe ato të brendshme, përfshire këtu trafikun detar në rritje të vazhdueshme.

Për më tepër ekzistojnë 148 platforma për nxjerrjen e gazit natyror dhe hidrokarbureve; 125 platforma të fiksuara në ujërat territoriale italiane, 20 në Kroaci dhe tre liçensa aktive në Greqi (ende nuk gjenden platforma në sektorin e Jonit). Sllovenia dhe Mali i Zi nuk kanë instaluar platforma fikse në pjesën tjetër të Adriatikut.

Lejet për kërkimet për gaz dhe hidrokarbure në rajonin ADRION (ADRIPLAN Data Portal; http://data.adriplan.eu/)

Aktivitetet offshore përfshijnë faza të ndryshme në shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit: (a) faza e eksplorimit dhe instalimit të sondave në pozicion, përfshirë karakterizimin gjeologjik; (b) instalimin e platformave të celikut; (c) faza e prodhimit në nxjerrjen e naftës dhe gazit; (d) faza e dekomisionimit (inaktivizimit), kur cikli i jetës komerciale e pusit që i përket platformës ka përfunduar.

Në lidhje me mjediset ujore, çështjet më kritike shkaktohen nga prania e strukturave offshore dhe rrjedhjet kryesore të mbetjeve për shkak të prodhimit të ujit që del nga formacionet (PFW). Strukturat offshore mund të shkaktojnë impakt negativ nga pikëpamja fizike në ekosistemin detar por edhe nga pikëpamja kimike, duke lëshuar kontaminuesit që shërbejnë për parandalimin e fenomenit të korrozionit (p.sh. zinku dhe kadmiumi, të cilët janë përbërës strukturorë të anodës së strukturës) dhe vetë PFW-të (ujërat e prodhuar nga formacionet) përfshijnë ujin në rezervat e naftës dhe të gazit, ujin e injektuar në rezervat përkatëse për të ndihmuar në nxjerrjen e naftës mbi sipërfaqe dhe ku për pasojë prodhohen përbërës kimikë të tjerë.

Për rrjedhojë, kontaminues të ndryshëm mund të lëshohen në mjedis: përbërës inorganikë (p.sh. element gjurmë), përbërës të aromatizuar dhe të avullueshëm (benzeni, tolueni, etilbenzeni, ksilenet), substancat gjysmë të avullueshme (p.sh. naftaleni, fenantreni, dibenxotiofeni), fenolet, acidet organike dhe aditivët.

Të dyja së bashku, pozicionimi i një strukture permanente dhe shkarkimi i PFW, mund të modifikojnë cilësinë e mjedisit, duke ndryshuar karakteristikat fiziko-kimike të kolonës së ujit dhe sedimenteve, duke krijuar ndryshime në komunitetet e qnieve të gjalla detare.

Ndotja nga gazi dhe nafta është një çështje thelbësore për rajonin e ADRION-it, i cili është një burim i pasur për biodiversitetin, habitatet natyrore dhe komunitetet me rëndësi të madhe mjedisore. Strategjitë e zakonshme kundrejt vlerësimit të impaktit mjedisor dhe gjendjes së mirë të mjedisit rekomandohen midis vendeve, duke i bërë ato të përbashkëta për rajone apo nën-rajone detare.

Përqasjet ndërkufitare duhet të vlerësojne impaktin e aktiviteteve offshore, duke harmonizuar vlerësimin e impaktit mjedisor (VIM apo EIA në anglisht), planet e monitorimit dhe procedurat e dekomisionimit. Procedura e VIM përfshin një survejim për përzgjedhjen e vendit, karakterizimin paraprak të mjedisit, impaktin e pritshëm në mjedis, vlerësimin e impaktit në mjedis, masat parandaluese dhe planin e menaxhimit mjedisor. Bazuar në rregulloret e posaçme lidhur me çështjet mjedisore (ndërkombëtare dhe kombëtare), aplikimi i instrumentave monitorues është i detyrueshëm për të studiuar karakteristikat natyrore të mjedisit detar dhe ndryshimet për shkak të pranisë së strukturave offshore.

Atëherë kur fushat e gazit natyror dhe të hidrokarbureve arrijnë fundin në ciklin e jetëgjatësisë së tyre operative, proces që ndodh në mënyrë tipike midis vitit të 10-të dhe atij të 30-të që nga faza e fillimit të prodhimit, çështja e dekomisionimit (e cila kryesisht konsiston në një proces rehabilitimi) arrihet me eliminimin dhe vendosjen e një sasie të konsiderueshme të materialeve të papërpunuara, së bashku me problemet e lidhura me rehabilitimin e mjedisit dhe rikualifikimin përkatës. Industria e gazit dhe naftës po përballet me perspektivën e dekomisionimit të mijëra instalacioneve në dekadat e ardhshme.

Ditët e sotme, ekzistojnë përqasje të ndryshme rregulluese rreth globit për sa i përket veprimtarive të dekomisionimit, por ende nuk ekziston konsensusi se cila duhet nënkuptuar si praktika më e mirë. Vendimi i Komisionit të Oslos dhe Parisit 98/3 ndalon taposjen e gjithë strukturave offshore apo pjesëve të tyre dhe thekson se ripërdorimi, riciklimi dhe rikthimi në gjëndjen e mëparshme janë mundësitë e preferueshme. Taposja (apo mbulimi me material inert) përfshin strukturat e braktisura pasi ka përfunduar cikli i shfrytëzimit.

Në mënyrë që të mbrohen mjediset detare, evidencat po tregojnë se vetë strukturat offshore duhet të konsiderohen si pjesë përbërëse të ekologjisë së sistemit, i cili është në përdorim nga biota detare, që siguron funksione dhe shërbime në ekosistem dhe në diversitetin e habitatit. Për këtë arsye dekomisionimi i strukturave offshore kërkon një vlerësim të nivelit të ekosistemit dhe implikimet përkatëse duhet të bëhen të ditura në nivel lokal dhe në një kontekst më të gjerë rajonal.

Me qëllimin për të ndarë praktikat më të mira për vlerësimin potencial të impaktit në nivel offshore, një përmbledhje e gjerë e procedurave të përshtatura nga vendet e BE-së dhe ato jashtë BE-së përgjatë deteve të rajonit ADRION, u ndërmorën në kuadër të projektit të Interreg Adrion të titulluar HarmoNIA (Harmonization and netëorking forcontaminant assessment in the Ionian and Adriatic Seas).

Krahasimet e informacioneve të siguruara nga laboratorët (përfshirë atë të Universitetit Bujqësor të Tiranës) e projektit HarmoNIA në gjashtë vende ADRION ka theksuar nevojën për të harmonizuar protokollet për vlerësimin e impakteve në platformat offshore të ekosistemeve detare. Informacioni u grumbullua nëpërmjet pyetësorëve të dedikuar ndaj procedurave të VIM (EIA) në rastin e instalimit të platformave dhe shkarkimit të PFW. Më poshtë paraqitet një tabelë me informacionin e përmbledhur të çështjeve EIA në rajonin ADRION.

Gjithë vendet ndjekin një legjislacion kombëtar EIA, ku janë përshtatur direktiva specifike të Evropës dhe më e përditësuara është Direktiva 2014/52/EU. Në këtë direktivë detajohet se çdo vend krijon një procedurë autorizimi VIM (apo EIA) në rastin e  projekteve që mund të kenë impakt mjedisor me pasoja përgjatë kufijve.

Në lidhje me konventat ndërkombëtare apo marrëveshjet rajonale që rregullojnë impaktin mjedisor të platformave të gazit dhe naftës, megjithëse Konventa e Barcelonës dhe UNCLOS janë ratifikuar nga të gjitha vendet e rajonit ADRION, vetëm Kroacia dhe Shqipëria ka ratifikuar Protokollet Offshore të Konventës së Barcelonës.

Në Itali dhe Greqi, legjislacioni kërkon një procedurë VIM specifike për instalimin e platformave offshore. Në vendet e tjera, të tilla projekte duhet të dërgohen si procedurë e EIA por nuk ekzistojnë VIM specifike për instalimet offshore.

Procedurat e VIM për instalimin e platformave offshore janë të ngjashme në nivelin e rajonit ADRION, sipas stadeve të përshkruara më poshtë: (i) Prezantimi i raportit të VIM nga zhvilluesi i aktivitetit në përdorim të platformave offshore (kompani nafte); (ii) fillimi i procedurave VIM, konsultimet publike dhe faza këshillimore; (iii) ekzaminimi nga Autoriteti Përgjegjës i informacionit të paraqitur në raportin VIM; (iv) vendimarrje e arsyeshme nga Autoriteti Përgjegjës lidhur me impaktet e konsiderueshme të projektit për mjedisin, përfshirë këtu masat parandaluese dhe monitoruese.

Informacioni minimal që duhet përfshirë në raportin VIM është: (i) përshkrimi i projektit (informacioni në zonë, dizenjim dhe përmasa, etj.); (ii) përshkrimi i efekteve të mundshëm të projektit lidhur me mjedisin; (iii) përshkrimin e masave parandaluese dhe alternativave të mundshme.

Shkarkimi i mbetjeve nga ujërat e formacioneve (PFW) duhet të përfshihet në procedurat e VIM në Kroaci, Mal të Zi dhe Greqi, megjithëse jo specifikisht të përmendura në legjislacionin kombëtar.  Në fakt VIM është i detyrueshëm në nxjerrjen e hidrokarbureve dhe trajtimi i PFW është i përfshirë në procedurat e VIM-it, si pjesë e procesit të shfrytëzimit të rezervave.  Në lidhje me ujërat e formacioneve, VIM nuk është i detyrueshëm në Shqipëri dhe Itali, megjithëse Shqipëria përmban legjislacion specifik lidhur me shkarkimin e PFW.

Në Itali zhvilluesi i projektit mund të zgjedh nëse do të vendosë trajtimin e shkarkimit PFW në procedurën VIM apo të jetë në përputhje me procedurën e shkarkimit të PFW sipas normave të përcaktuara me ligj bazuar në Dekretin e 1994. Në këto dy vende, kërkesa për autorizimin e shkarkimit të PFW përfshihet informacioni rreth: (i) instalimit (seksioneve detare, tipit të prodhimit, pozicionit gjeografik, e të tjera), (ii) shkarkimi (gjeometria e shkarkimit nga tubacionet, volumet e pritshme të shkarkimit të PFW, karakterizimi ekotoksikologjik dhe fiziko-kimikë i PFW-ës dhe përdorimi potencial i përbërësve kimikë), (iii) karakteristikat e mjedisit detar (kushtet oqeanografike dhe meteorologjike; përshkrimi i biocenozave, prania e Zonave të Mbrojtura Detare (ZMD-eve)), (iv) aktivitetet e akuakulturës detare apo zonave të tjera të shfrytëzimit intensiv, (v) plani specifik i monitorimit me qëllim verifikimin e mungesës së rrezikut për ekosistemet detare. Në gjithë rajonin e ADRION-it, procesi i VIM kërkon një projekt monitorimi për të karakterizuar komponentët e mjedisit si një studim paraprak, për të vlerësuar impaktet potencialisht negative në stadet e mëvonshme.


Etiketime:

Share:

Studime të ngjashme